Kuvendi Komunal i Ferizajt ka mbajt tri seanca që nga fillimi i vitit 2023.

Nga këto tri seanca, dy ishin të rregullta dhe një e jashtëzakonshme.

Nga tri seancat e Kuvendit Komunal, ajo që bie në sy më së shumti është se zakonisht janë fytyrat e njejta që dalin dhe flasin për thuajse secilën pikë të rendit të ditës, kurse ka kuvendarë që nuk u është dëgjuar zëri asnjëherë.

Kuvendarët komunal që nuk kanë fol asnjëherë apo vetëm një herë gjatë këtyre seancave janë plot 28 persona nga gjithsej 41 sa janë. Kjo i bie 68% e të gjithë asamblistëve.

Asamblistët që nuk e panë të udhës të flasin qoftë edhe për një çështje të vetme janë 16 nga ta, heshtarakët me renditje alfabetike janë: Agnesa Bobi-Syla nga AAK, Arbnor Murseli nga LVV, Arton Gavazi nga AAK, Besarta Shabani nga RDF, Erëza Hashani nga PDK, Faik Selmani nga PDK, Feriz Sejdiu nga PDK, Flora Abdullahu nga PDK, Florije Islami nga PDK, Hysnije Mustafa nga LVV, Ismajl Sejdiu nga NISMA, Jehona Mustafa Krasniqi nga LDK, Makfire Musa nga LVV, Mimoza Pajaziti nga PDK, Pakize Bujani nga Lista e Ashkanlinjëve dhe Valon Aliu nga PDK.

Kenan Gashi nga Avonet kërkon përgjegjësi ligjore por edhe morale nga ata që paguhen nga tatimpaguesit por nuk ngrisin asnjë çështje të vetme.

Shumica dërrmuese e anëtarëve të Kuvendit Komunal vetëm fizikisht janë në ulëse kurse me diskutime nuk janë fare në sallë. Shumica e anëtarëve nuk e meritojnë të jenë pjesë e këtij Kuvendi. Ata do të duhej të bartin përgjegjësi për votën që kanë marr dhe së paku të ngritin një çështje, të paktën për zonën nga e cila vijnë“, thotë Gashi për TV TEMA.

Kuvendarë që në këto seanca kanë marr fjalën vetëm një herë janë 12, me renditje alfabetike radhiten në këtë mënyrë: Arbenita Berisha nga Nisma, Arbnore Salihu nga PDK, Besim Haziri nga LDK, Ejup Delolli nga PDK, Elbasan Osmani nga PDK, Gëzim Haxhimusa nga RDF, Habib Krosa nga Ne Mundemi, Lulzim Abazi nga PDK, Naser Beqiri nga LVV, Sylejman Metushi nga PDK, Verona Isaki nga LDK dhe Yllkë Neziri nga LVV.

Anëtarët tjerë të Kuvendit Komunal kanë marr fjalën së paku 2 herë.

Avoneti ka një thirrje për Kuvendarët e heshtur të Ferizajt.

“Ju bëjmë thirrje anëtarëve të Kuvendit të Komunës që së paku të kenë një diskutim të vetëm apo një adresim për ndonjë çështje që ka të bëjë me qytetarët. Së paku në pikën “të tjera” të diskutojnë për qytetin e Ferizajt. Është e keqe që pagën e marrin por jo edhe përgjegjësinë karshi kërkesave dhe ankesave të qytetarëve. Edhe nga ata që po diskutojnë ka që trajtojnë çështje personale të tyre karshi problematikave anëtar me anëtar”, u shpreh Gashi.

Kampionë të të folurit në Kuvendin Komunal gjatë këtyre tri seancave janë: Brahim Osmani nga LVV që ka fol 13 herë, Arian Imeri nga PDK që foli 12 herë dhe Adnan Selmani nga LVV që foli 8 herë.

Shiko si video:

Të ngjashme

Të tjera